Tag Archives: koment

Pushteti Blendi Fevziu- Review

Ky ishte një nga bestsellerat e këtij viti, ose për të qenë më të saktë, i dyti libër më i shitur te Panairi i Librit 2016. Bukur shumë!

Im atë ishte shumë kurioz të dinte për çfarë bëhej fjalë. E bleu, e lexoi dhe komenti i vetëm ishte “Ppffff!”.

E lexova. Do ishte shumë pak, thjesht të thoja që nuk më pëlqeu. Pëlqimi ose jo, hyn te shijet personale të gjithsecilit prej nesh dha varet nga shumë faktorë. Të jemi të qartë, jam një lexuese si gjithë të tjerët dhe kur gjej një libër që ia vlen barra qeranë, jam e gatshme ta promovoj duke e rekomanduar te të tjerë lexues. Miqtë e mi më të ngushtë janë dëshmitarë të kësaj, por në këtë rast nuk mundem, me gjithë dëshirën e mirë.

Jo, nuk është sepse dua të hedh baltë mbi një vepër letrare, por letrare nuk është.  “Sot gjithçka ështe letërsi.”shkruan Z. Ҫili, por kjo nuk ka lidhje me letërsinë dhe as me esenë. Kjo është hajde të fantazoj dhe vetëm prej famës që kam, prej reklamës, të pres që të vlerësohet.

Ka gabime trashanike: 1. Gramatikore 2. Drejtshkrimore 3. Sintaksore. Ky fakt ishte cituar edhe në një artikull të gazetës “Telegraf”.

  1. Gramatikore? Gjenden plot fjali pa kuptim. Si mund të ndërtosh një fjali vetëm me pjesë të nënrenditur? Si mund të vazhdosh më pas këtë mendim sërish me një fjali që konsiston në pjesë të nënrenditur? Ku janë pjesët kryesore? Qëllimi i një pjese të nënrenditur është, të plotësojë kuptimin e pjesës kryesore dhe ta pasurojë me informacion, përndryshe nuk ka arsye të ekzistojë dhe vetëm nuk mund të qëndrojë.

Do flasim për lakim emrash? Apo trajtën e shquar dhe të pashquar? Po trajtat e shkurtra?

2.Drejtshkrimore? Ka gabime në drejtshkrimin e fjalëve, në apostrofin që mungon, viza në mes të fjalëve si madje-madje etj.

  1. Sintaksore? Sheh presje të përdorura vend e pa vend. Nuk ka hapësirë midis shenjave të pikësimit. Nuk ka ndarje dhe dallim të ligjëratës së drejtë nga ligjërata e zhdrejtë.

Vërehet një varfëri e theksuar në leksik, derisa më bënte përshtypje frekuenca me të cilën ndeshesha me frazat: thellë-thellë, herë-herë, madje-madje ose kur hasja të njëjtat fjalë në distancë prej dy ose  tre rrjeshtash, si “magjepse” (unë mesa di shkruhet magjepsëse, por…) etj.

Nuk jemi të gjithë gjuhëtarë apo ekspertë të gjuhës shqipe edhe pse bëhet fjalë për gjuhën amtare por nga kjo analizë e cekët e imja merreni me mend se sa gjëra të tjera mund të haste dikush që këtë e ka profesion.  Më vjen shumë keq, sepse ishin “detaje” që fare lehtë mund të ishin evituar. Prandaj ekzistojnë profesionet e ndryshme dhe profesionistët. Këtu duhej syri  i mprehtë  i një redaktori.  Fundja po flasim për një libër që jam e bindur pa dalë akoma, ishte i destinuar të ishte i suksesshëm, kështu që Z.Fevziu, Z. Ҫili mund t’ia lejonin vetes një shpenzim të tillë.  Sidomos nëse do kishte një lexueshmëri kaq të gjerë, duhej edhe pak përgjegjshmëri për çfarë po nxjerr në treg kur ke vënë tellallin nga të gjitha anët. Në kohërat që po jetojmë,  përçudnimi i  gjuhës shqipe është normalitet. Është kaq e vështirë të shohësh shkrime pa gabime, rrjedhimisht një libër i këtij kalibri, siç edhe pretendohet  të jetë nuk duhej  të binte në këtë “kurth”. E turpshme!

Sigurisht që do kisha preferuar të merresha menjëherë me komentimin e përmbajtjes, siç do lexoni më poshtë, por nuk mund të mos ndalesha në ngërçin gjuhësor që ma ndërlikoi leximin në tërësi.

Trajtimi i fenomenit të pushtetit është tejet sipërfaqësor, pavarësisht se Z. Fevziu qartazi përpiqet të ketë një qasje elastike duke ndërthurur momentet e së tashmes me të kaluarën e personazhit. E dimë që loja e pushtetit është e rrezikshme dhe tinëzare. E dimë që pushteti të tjetërson, sepse duhen këllqe të forta dhe asnjë fibër plasteline në organizëm, përndryshe je i marrë fund.

Një i dehur gjithmonë pandeh se është esëll, qiqër madje.

Deformimi nga pushteti është i ngadaltë dhe gati i padukshëm. Madje edhe ata që kemi përreth e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se ç’po ndodh deri në çastin që është tejet vonë. Deri në çastin kur na ndizet papritmas një llambushkë dhe ndërgjegjësohemi, por gjithmonë në lidhje me të tjerët, kurrsesi në lidhje me veten tonë.

Dua të them që edhe nga vetë eksperienca e Z. Fevziu, që ka parë aq shumë burra të pushtetshëm duhet ta ketë nuhatur sesi infekton dhe pushton pushteti.

Magjia? Makthet? Fundi i tij? Nuk pashë asgjë magjike në libër. Ishin thjesht përshkrime me ngjyra, të mbetura në tentativë. Ngjitja, suksesi në karrierë, postet, pasuritë, privilegjet? Gjatë gjithë librit përsëriteshin po të njëjtët emra, shoqëruar me ndonjë mbiemër të rastit që bënte më shumë bujë gazetareske sesa artistike.

Vrasjet,vendimet gjakatare, përjashtimet, eliminimet? Një tjetër renditje që përsëritet.

Makthet? Sulltani e dënoi me akuzën e tradhtisë. Kaq. Melodi e dëgjuar.

Fundi? Kur të vjen fundi, si i thonë kësaj pune, kujton fillimin. Kujton se si vjen nga një origjinë disi modeste dhe adhurimin për gjyshin, kujton ambiciet e mëdha për të studiuar dhe për t’u bërë dikush, si arrin të martohet me një vajzë të një dere të mirë, si pastaj mohon atë dhe fëmijët për pushtet, si fiton ca më shumë, si martohet me një nga konkubinat e haremit të sulltanit, si fëmijët e tij me këtë të fundit rezultojnë të jenë një zhgënjim total…

Ndoshta dikush do më thoshte (me të drejtë): “Po pse ç’prisje? Fundja këto lloj historish kanë të gjitha pak a shumë, të njëjtët emërues të përbashkët.”.

Përgjigjja ime do ishte: “Po pikërisht! Një shkrimtar materializon fantazinë e tij, duke krijuar një realitet. Ky realitet përputhet me atë ku jetojmë ose mund të jetë ekstremisht jo real, por në fund fare shkrimtari mban përgjegjësi për emocionet që ndjell dhe mendimet që provokon. Diçka e tillë nuk është e mundur vetëm me një makro sekuencë veprimesh, sidomos nëse në thelb të gjithë kësaj zgjedh të vendosësh një bishë kaq të ndërlikuar, që quhet pushtet.”

xoxo #kristinakoti

Likes(5)Dislikes(0)